Radiologji
Shërbimi i Radiologjisë në Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë përfshin;
- Radiologjinë Diagnostikuese
- Radiologjinë Intervencionuese
- Mjekësinë Nukleare
Radiologjia Diagnostikuese
- Ekografia
Ekografia konsiderohet si një nga metodat diagnostikuese më të besueshme në praktikën mjekësore. Avantazhet më të mëdha të ekografisë janë: e sigurt, e shpejtë, jo invazive dhe me kosto të ulët. Ekografia nuk ka rrezatim gjatë ekzaminimit, fakt që lejon të realizohet disa herë dhe te gratë shtatzënë apo fëmijët e vegjël.
- Ekografi abdominale
- Ekografi transrektale
- Ekografi e glandulës tiroide
- Ekografi e qafës
- Ekografi e gjirit
- Ekografi scrotale
- Ekografi e sistemit muskulo-skeletal
- Ekografi doppler e sistemit arterial dhe venoz
- Tomosinteza dhe Mamografia
Është aparati i parë i tomosintezës në vendin tonë. Tomosinteza është një teknikë imazherike që mund të përdoret për të kontrolluar shenjat e hershme të kancerit të gjirit tek njerëzit pa simptoma. Kjo lloj imazherie mund të përdoret gjithashtu si një mjet diagnostikues për njerëzit që kanë simptoma të kancerit të gjirit.
Gjatë tomosintezës, merren imazhe të shumta të gjirit. Këto imazhe dërgohen në një kompjuter që përdor një algoritëm për t’i kombinuar ato në një imazh 3D të gjithë gjirit.
- Radiografia
Është ekzaminim që shfrytëzon rrezatimin “x” i cili me perdorimin e pajisjeve digjitale dhe te avancuara ka ulur ndjeshem dozën e rrezatimit për pacientin. Ky ekzaminim aplikohet me rekomandimin e mjekut, për një arësye të caktuar.
Llojet e radiografive që mund të kryhen:
- Radiografi e toraksit
- Radiografi e abdomenit
- Radiografi e gjymtyrëve
- Radiografi dinamike të aparatit gastrointestinal
- Radiografi dinamike të aparatit urinar
- CT Skaner
Ky është një ekzaminim i cili vlerëson të gjithë enët e gjakut të trupit, si p.sh arteriet e trurit, aortën abdominale dhe torakale, si dhe degët tyre. Ekzaminimi realizohet si gjithë CT – të e tjera. Gjatë këtij ekzaminimi është e domosdoshme administrimi i kontrastit. Ky është një ekzaminim i sigurt, pa dhimbje dhe zgjat vetëm disa sekonda. Imazhet më pas përpunohen dhe interpretohen nga mjeku radiolog.
Ekzaminimi skanerik (CT) është një ekzaminim që përdor rrezet “x”. Në rast shtatëzënie të njohur ose të mundshme, jeni të lutur të lajmëroni personelin përgjegjës. Rekomandohet të paraqiteni në spital rreth 30 minuta përpara orarit të prenotuar, kjo në mënyrë që të realizoni të gjithë procedurat administrative të kërkuara. Nëse keni prenotuar të kryeni skaner të abdomenit rekomandohet të paraqiteni në spital rreth 90 minuta përpara, në mënyrë që të merrni kontrastin oral.
Në momentin që do të paraqiteni për të kryer ekzaminimin përkatës duhet të keni me vete ekzaminimet e mëparshme (CT/MRI) (nëse keni të tilla), të cilat i duhen mjekut radiolog për të bërë krahasim me ekzaminimin aktual. Në pjesën më të madhe të ekzaminimeve do ju administrohet një kontrast i joduar I/V, I cili shërben për të përforcuar imazhin sidomos të vazave dhe organeve të brendshme.
Nëse do te kryeni nje ekzaminim me kontrast të sillni me vete rezultatet e analizave të Azot/ Kreati-t, të dy muajve të fundit. Kjo vlen edhe nëse ju jeni diabetik, ose keni pasur më parë probleme renale. Nëse jeni duke marrë metforminë (për trajtimin e diabetit), ju lutemi të njoftoni personelin përgjegjës.
Llojet e CT Skaner që mund të kryhen:
- Skaner i kokës
- Skaner temporal
- Skaner maksilofacial
- Skaner i qafës
- Skaner i toraksit
- Skaner i abdomenit
- Skaner i shtyllës kurrizore
- Skaner osteoartikular
- Skaner Angio CT
- Skaner Uro TC
- Ekzaminime MRI (Rezonancë Magnetike)
Studimi me Rezonancë magnetike bazohet në vetitë magnetike të protoneve, kur këto ndodhen në fushën e fortë magnetike. Përpara se të realizoni një MRI është shumë e rëndësishme të përjashtohet prezenca e pjesëve metalike që mund të ketë pacienti në trup ose pajisjeve mjekësore (si p.sh pacemaker), pasi kjo përbën rrezikshmëri për jetën e pacientit. Individët klaustrofobikë ose ata të cilët nuk bashkëpunojnë (pra nuk mund të rrinë pa lëvizur), mund t’a realizojnë ekzaminimin nën sedacion të lehtë. Sedacioni i lehtë realizohet nga mjeku anestezist pas një planifikimi të përshtatshëm të bërë prej mjekut.
Për disa lloje MRI, është e nevojshme administrimi i një kontrasti specifik. Administrimi i këtij kontrasti është në përgjithësi i sigurt dhe efektet anësore të tij janë shumë të rralla. Gjithsesi masa specifike nevojiten të merren në rastet e grave shtatëzëna dhe në laktacion, si dhe pacientëve me dëmtim të thelluar renal.
Për arsye të mungesës së rrezatimit jonizues, MRI është i përshtatshëm për pacientët në moshë të re. Reaksionet alergjike nga lëndët e kontrastit të përdorura në rezonance janë më të rralla krahasuar me ato të përdorura në skaner (CT), kjo e bën këtë ekzaminim të zgjedhur në raste specifike.
Llojet e rezonancave që mund të kryhen:
- Rezonancë e kokës
- Rezonancë e gjendrës së hipofizës
- Rezonancë e veshit
- Rezonancë e orbitave
- Rezonancë e sinuseve paranasale
- Rezonancë e qafes (për indet e buta)
- Rezonancë e kolonës cervikale; torakale dhe lumbo–sakrale
- Rezonancë abdomeni superior dhe hapësirë retroperitoneale
- Abdomen inferior (pelvis)
- MRCP – Rezonancë magnetike e rrugëve biliare
- Rezonancë e kockave dhe indeve të buta
- Rezonancë e artikulacioneve (temporomandibular, scapula-humeral, brryli, kyçi i dorës, dora, baçini, gjuri, këmba dhe kyçi i këmbës).
Radiologjia Intervencionuese
Disa nga procedurat intervencionuese vaskulare përdoren në trajtimin e sëmundjeve vaskulare periferike. Ngushtimi i arterieve dhe venave trajtohet me zgjerim me balon. Nëse zgjerimi është i pamjaftueshëm në vendin e shtrëngimit, vendoset një stent që zgjeron enën e gjakut. Në rast të çrregullimeve të bllokimit të enëve të shkaktuara nga mpiksja e gjakut ofrohet terapi trombolitike e cila, nëse kryhet në kohë, ndihmon në shmangien e pasojave të sëmundjes. Disa raste kërkojnë mbyllje të enëve të gjakut për të parandaluar furnizimin me gjak në zonën e prekur ose të dëmtuar. Për këtë qëllim kryhen procedura intervenuese të embolizimit.
MWA (micro wave ablation) është metodë mini-invazive e trajtimit të kancerit (kirurgji pa gjak): është djegie perkutane e tumoreve të organeve të ndryshme (hepar, veshkë, pulmon, kockë, etj.) nën guide ekografike, skaner ose modalitet tjeter radiologjik duke shkaktuar nje punksion ne lekure. Pacienti pas trajtimit qëndron disa orë në spital. Kjo procedure realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe vetëm në spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.
RFA (radiofrequency ablation) është metodë mini-invazive e trajtimit të kancerit (kirurgji pa gjak): është djegie perkutane e tumoreve të organeve të ndryshme (hepar, pulmon, veshkë, kockë, etj.) nën guidë ekografike, skaner ose modalitet tjeter radiologjik, duke shkaktuar një punksion në lëkurë. Pacienti pas trajtimit qëndron disa orë në spital. Kjo procedurë realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe vetëm në spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.
Cryoablation është një metodë e cila në sajë të zhvillimit të temperaturës ekstremisht të ulët shkatërron tumoret në inde të ndryshme (hepar, pulmon, veshkë, kockë, etj.) nën guide ekografike, skaner ose modalitet tjeter radiologjik duke shkaktuar një punksion në lëkurë. Pacienti pas trajtimit qendron disa orë në spital. Kjo procedure realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe vetëm në spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.
Procedura të tjera intervencioni:
- Drenazh perkutan i abscesit
- Efuzion pleural
- Drenazh biliar perkutan
- Drenazh perkutan i urinomës
- Futja e nefrostomisë perkutane
- Biopsitë në organe të ndryshme (CNB) të drejtuara nën ekografi, CT apo modalitet tjetër radiologjik-(CNB), citologjia aspiruese me gjilpërë të hollë.
- Injeksionet intraforaminale në dhimbjet e kolonës spinale, injeksione artikulare etj.
- Vendosje aksesi vaskular Port-a-cath, PICC etj.
Mjekësia Nukleare
Mjekësia nukleare është një fushë e specializuar e radiologjisë që përdor sasi shumë të vogla të materialeve radioaktive ose radiofarmaceutike, për të ekzaminuar funksionin dhe strukturën e organeve të ndryshme. Imazhi i mjekësisë nukleare është një kombinim i disa disiplinave. Në shumë raste mjekësia nukleare është edhe trajtuese p.sh; në adenomatat toksike të tiroides dhe kancerin papilar të tiroides. Në Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, pajisja është SCPECT-CT, pra një gama-kamer digjitale e inkorporuar me CT, ku imazhe radiologjike dhe nukleare fuzionohen duke përftuar informacion të shkelqyer radiologjik dhe funksional në të njëjtën kohë.
Llojet e ekzaminimeve që mund të kryhen;
- Shintigrafi e tiroides
- Shintigrafi e kockave
- Shintigrafi e veshkave statike dhe dinamike
- Shintigrafi e pulmonit
- Shintigrafi e miokardit
- Shintigrafi e aparatit digjestiv
Shintigrafi e limfonodulit sentinel



Stafi mjekesor

Dr. Sh. M. Adrian Hoti
Radiolog, Koordinator i RadiologjisëDetajet e njësisë operative
Vendndodhja: Rruga Ana Komnena, Nr. 74
Tel: +355 445 05 004
WhatsApp: +355 69 70 77 550
E-mail: [email protected]