Historiku

Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë (SKZKM) është një institucion i rëndësishëm shëndetësor, i ngritur në përmbushje të vullnetit të Nënë Terezës, e cila ka ideuar, i ka dhënë emrin, ka kërkuar mbështetje dhe ka bekuar të gjithë ata që do të angazhohen në ndërtimin dhe mbarëvajtjen e këtij spitali në Shqipëri. SKZKM u ndërtua nga Kongregata e Bijve të Zojës së Papërlyer me qendër në Romë, për të rritur dhe përmirësuar shërbimin shëndetësor për popullin shqiptar. Spitali është bazuar në frymëzimin e themeluesit të kësaj Kongregate, At’ Luigi Monti.

Nën frymëzimin e Shenjtërisë së Tij Papa Gjon Pali i II-të dhe Shenjtërisë së Saj Nënë Tereza e Kalkutës, në vitin 1993, në Shqipëri u themelua Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë (FZKM), një nismë e Kongregacionit katolik Bijtë e Zojës së Papërlyer. FZKM është krijuar dhe është konsoliduar si një institucion i përkushtuar shëndetit dhe arsimimit. Në funksion të këtyre qëllimeve të mëdha, janë ndërtuar disa struktura të suksesshme shëndetësore si poliambulanca, laboratori klinik i analizave biokimike, farmacia, klinika e odontoiatrisë, qendra e fizioterapisë dhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë “(UKZKM) me një profil të mirënjohur në fushën e mjekësisë.

Ndërtimi i Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë ka shënuar finalizimin e një faze shumë të rëndësishme të angazhimit të FZKM në Shqipëri. Ky spital shënon jo vetëm përmbushjen e një testamenti të Nënë Terezës, por edhe krijimin e një poli të ri të mjekësisë moderne në Shqipëri; një institucioni të rëndësishëm që bën bashkë standardet më të larta shkencore të fushës së shëndetësisë me parimet më të larta të respektimit të dinjitetit dhe të vlerave njerëzore.

KERKO NJE PREVENTIV FALAS

Ju duhet të prenotoni me telefon ose personalisht ekzaminimet për specialitetet të cilat janë në ditë dhe orare të caktuara të javës.