ALB | ENG

Vlerat Tona

Vlerat dhe parimet profesionale të SKZKM

Angazhimi kryesor i Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë është ekselenca e shërbimit që arrihet nëpërmjet investimit tek burimet e tij njerëzore dhe tek jetësimi i vlerave themelore njerëzore e profesionale si më poshtë:

  1. Shërbimi me përkushtim, me pasion dhe ndjeshmëri ndaj pacientëve është elementi kryesor që shënjon profilin unik të spitalit dhe karakteristikat bazë të tij.
  2. Përgjegjshmëria dhe përgjegjësia, përmes angazhimit serioz për të krijuar besim të ndërsjellët mes atyre që shërbejnë dhe atyre që marrin shërbime.
  3. Respekti i thellë për dinjitetin njerëzor, i pa kushtëzuar nga gjinia, mosha, statusi shoqëror, etnia, raca, besimi fetar apo dallime të tjera.
  4. Ekselenca profesionale është vlerë e synuar, mjet i domosdoshëm, por edhe rezultat i qasjes së përgjithshme të spitalit për të vënë në shërbim të njerëzve arritjet më të fundit të shkencës dhe të teknologjisë.
  5. Sinergjia është mënyra dhe rruga për të arritur gjëra që janë të pamundura për individin. Spitali bazohet tek ekipet ekselente, pa krijuar klimë favorizuese për frymën egoiste apo prirjet individualiste.
  6. Pavarësia është kërkesa për të ruajtur autonomi nga politika, ekonomia, apo faktorë të tjerë të tretë.
  1. Paanësia – të gjithë strukturat e SKZKM-së, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre humane trajtojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme të gjithë subjektet me të cilët krijojnë marrëdhënie konform rregullores dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fushën e shërbimeve spitalore.
  2. Neutraliteti gjatë ushtrimit të detyrës, përfaqësuesit dhe punonjësit e SKZKM-së, nuk mbajnë anë dhe as përfshihen në polemika të një natyre politike, racore, fetare, ideologjike, etj. me pacientët, apo subjektet me të cilët kanë marrëdhënie pune.
  3. Barazia dhe mosdiskriminimi është angazhimi që të gjithë do të trajtohen në mënyrë të barabartë, duke ju dhënë barazia e shanseve dhe mundësisë pavarësisht prejardhjes, fesë, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, apo e faktorëve të tjerë të jashtëm.
  4. Integriteti është standardi që mundëson kryerjen e detyrës me ndershmëri, me zell dhe me përgjegjësi, duke respektuar vlerat, parimet profesionale, legjislacionin dhe kërkesat e akteve të tjera që rregullojnë veprimtarinë e SKZKM.
Vlerat dhe parimet humane të SKZKM

Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë vepron për të mbrojtur dhe zhvilluar dinjitetin e njeriut. Parimi më i lartë udhëheqës për SKZKM është respekti për shenjtërinë e çdo jete njerëzore, që nga çasti i konceptimit të saj e deri në vdekje. E drejta për jetën, si e drejta parë e një qenie humane, nënkupton edhe të drejtën e pasjes së mundësive për zhvillimin normal të saj, çka përfshin edhe një përkujdesje të përshtatshme shëndetësore.

SKZKM vepron si një institucion në shërbim të së mirës publike. Duke kontribuar për shëndetin fizik dhe shpirtëror të njerëzve, ai luan rolin e tij në prosperitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë.

SKZKM angazhohet të luajë një rol të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor të njerëzve në nevojë, të personave vulnerabël dhe të pambrojtur, duke zhvilluar format e veta të pjesëmarrjes në kostot e menaxhimit në frymën e mëshirës, duke shpresuar për një marrje të drejtë të përgjegjësisë edhe nga institucionet publike në respektimin e të drejtës për shëndetin e çdo qytetari.

SKZKM ndihet i përkushtuar për të ndjekur një menaxhim të qëndrueshëm dhe etik të aktivitetit të kujdesit shëndetësor, duke marrë parasysh situatën e të sëmurëve ashtu dhe burimet e veta në dispozicion. Për këtë qëllim, ai është aktiv në mobilizimin dhe inkurajimin e aktorëve të tjerë publikë dhe privatë për të kontribuuar në kostot e menaxhimit, në mënyrë që të gjenerojë burimet e nevojshme për të ofruara shërbime shëndetësore sa më të përshtatshme.

Duke funksionuar nën një shoqëri pluraliste, SKZKM mund të përballet me kërkesa, procedura dhe praktika shëndetësore ose ekonomike që nuk janë në pajtim me Doktrinën e Kishës Katolike. Në kushte të tilla, spitali refuzon të marrë pjesë në iniciativa ose të miratojë procedura që janë të huaja për vlerat morale të Kishës Katolike. Ky angazhim vlen si për shërbimet shëndetësore ashtu dhe për kërkimin shkencor.

Si një spital katolik, SKZKM është një bashkësi profesionistësh të dedikuar ndaj shëndetit, që nuk kufizohet vetëm me trajtimin e sëmundjes apo lehtësimin e vuajtjes trupore, por angazhohet në kuadër të një qasjeje gjithëpërfshirëse, duke adresuar edhe aspektet psikologjike, sociale dhe shpirtërore të pacientëve. Në pajtim me parimet katolike, SKZKM përpiqet që krahas trupit, të përkujdeset edhe për shpirtin e pacientëve, duke besuar se kufizimi thjesht e vetëm tek trupi është i pamjaftueshëm për shërbimin e plotë ndaj personit. Për këtë qëllim, krahas stafeve mjekësore, SKZKM kërkon edhe bashkëveprimin e profesionistëve të tjerë nga psikologjia, shkencat sociale, etj. Përkujdesja pastorale ndaj personelit apo pacientëve që e kërkojnë atë është një ndër aspektet e tjera të rëndësishme të qasjes gjithëpërfshirëse të SKZKM.

Mes profesionistëve që ofrojnë shërbime shëndetësore dhe atyre që kanë nevojë për to krijohet një marrëdhënie njerëzore, e cila kërkon respekt reciprok, besim, ndershmëri dhe konfidencialitet. Një klimë e pastër dhe e hapur komunikimi, e çliruar nga droja e manipulimit, intimidimit apo e shpërfilljes, është parakusht për shkëmbimin e lirshëm të informacionit, që është me rëndësi të dorës së parë për të mundësuar një efektivitet të lartë të profesionistëve të shëndetit.

Një element i rëndësishëm i komunikimit, është informimi i gjithanshëm i pacientit lidhur me gjendjen dhe perspektivën e trajtimit shëndetësor. Konsensusi i pacientit është parakusht për aplikimin e procedurave, terapive të nevojshme apo edhe risive mjekësore. Nga kjo mund të përjashtohen rastet e ndërhyrjeve në kushtet e urgjencës mjekësore.

Duke pasur qëllim kryesor mbrojtjen të jetës dhe të dinjiteti njerëzor, SKZKM nxit dhe përdor arritjet e mëdha të shkencës dhe teknologjisë, duke bërë dallimin sipas parimeve të moralit të krishterë, mes asaj që është e mundshme në aspektin teknologjik dhe asaj që është e pranueshme në aspektin moral. Respekti për jetën dhe dinjitetin njerëzor mbulon të gjithë ciklin e jetës që nga çasti i konceptimit deri në atë të vdekjes, duke u konkretizuar në praktika shumë konsekuente të SKZKM në mbrojtje të jetës, sidomos të fëmijëve të pa lindur, por dhe në trajtimin e mundësive shkencore lidhur me riprodhimin etj.. Vetëvrasja dhe eutanazia janë të papranueshme për SKZKM.

KERKO NJE PREVENTIV FALAS

Ju duhet të prenotoni me telefon ose personalisht ekzaminimet për specialitetet të cilat janë në ditë dhe orare të caktuara të javës.