ALB | ENG

Bashkëpunimi me UNIZKM

Bashkëpunimi me Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë

Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë (SKZKM) dhe Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë (UKZKM) funksionojnë si dy mushkëri të të njëjtit trup, duke mundësuar kështu integrimin e natyrshëm të praktikës klinike dhe të kërkimit shkencor në kuadër të një procesi të vetëm.

SKZKM është një spital me natyrë të mirëfilltë universitare dhe ka një program të posaçëm bashkëpunimi me Universitetin në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve për pacientët si dhe të rritjes së cilësisë së arsimimit të studentëve të këtij universiteti.

SKZKM krijon mundësi që pedagogët e UKZKM, përfshirë këtu edhe pedagogët e universiteteve partnere të tij nga vendet e tjera të Europës e më gjerë, të angazhohen në veprimtari të rregullt klinike, duke synuar kështu mbajtjen e një niveli shumë të lartë profesional. Në të njëjtën kohë, SKZKM krijon kushte optimale për veprimtarinë praktike të studentëve të UKZKM dhe të specializantëve të mjekësisë, duke synuar kështu edhe krijimin e hapësirave për angazhimin e tyre të mëvonshëm në strukturat spitalore.

Nga ana tjetër, SKZKM nxit angazhimin e pjesëtarëve të stafit të vet mjekësor në veprimtarinë akademike të UKZKM, duke e konsideruar këtë si një proces të rëndësishëm në funksion të cilësisë së shërbimeve mjekësore që ofron.

Përmes këtij bashkëpunimi mundësohet që një pjesë e mirë e stafit akademik të universitetit të angazhohet edhe në veprimtarinë klinike të spitalit, duke i dhënë atij lidhjen e domosdoshme me zhvillimet më të reja në fushën e shkencës mjekësore. Nga veprimtaria klinike e stafit akademik të universitetit, spitali ka mundësi që të ofrojë shërbime të specializuara të një niveli shumë të lartë.

Angazhimi i stafit mjekësor të spitalit në veprimtarinë akademike të universitetit kontribuon që ky i fundit të mbajë lidhje me praktikën klinike, që studentët të përfitojnë një këndvështrim të ri përmes komunikimit me praktikuesit e profesionit dhe që mjekët e spitalit të mbetën përherë të përditësuar në nivelin e dijeve profesionale dhe të sfiduar për këtë nga ballafaqimi me auditorët.

Përfshirja e gjerë e studentëve dhe e specializantëve të universitetit në praktikat profesionale pranë spitalit garanton që arsimimi universitar të marrë vlerën e domosdoshme praktike dhe që periudha e përshtatjes së studentëve në veprimtarinë klinike pas diplomimit të jetë sa më e shkurtër. Studentët angazhohen në spital si në kuadër të praktikave kurrikulare mësimore, ashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve kontraktuale për kryerjen e detyrave të caktuara ndihmëse në spital si plotësim dokumentacioni, komunikimi me pacientët dhe familjarët, përkujdesja ndaj pacientëve, marrëdhëniet publike, ndihma komunitare etj..

KERKO NJE PREVENTIV FALAS

Ju duhet të prenotoni me telefon ose personalisht ekzaminimet për specialitetet të cilat janë në ditë dhe orare të caktuara të javës.