Kirurgjia Orale
Kirurgjia orale është dega e stomatologjisë që merret me ndërhyrjet kirurgjikale në kavitetin oral, me qëllim trajtimin e patologjive dentare, gingivale dhe kockore, si dhe menaxhimin e rasteve më komplekse.
Në klinikën tonë, ndërhyrjet kryhen nga staf i specializuar, duke respektuar protokollet e sigurisë, sterilizimit dhe komfortit maksimal për pacientin.
Ndërhyrjet më të shpeshta në kirurgjinë orale:
Biopsia është një procedurë diagnostikuese që konsiston në marrjen e një pjese të vogël indi nga një zonë e dyshimtë në gojë dhe dërgimin e saj për analizë laboratorike. Kjo procedurë shërben për të përcaktuar natyrën e lezionit, i cili mund të lidhet me:
- trauma lokale
- inflamacion kronik
- manifestime orale të sëmundjeve sistemike
- formacione beninje ose malinje
Heqja e dhëmbëve është një ndërhyrje rutinë në kirurgjinë orale. Më shpesh kryhen:
- heqja e dhëmballëve të pjekurisë
- heqja e dhëmbëve të retinuar (të bllokuar në kockë)
- heqja e dhëmbëve për arsye ortodontike ose protetike
- heqja e dhëmbëve të dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme
- heqja e rrënjëve të mbetura, të cilat mund të shkaktojnë infeksione, kiste dhe probleme në kockë
Abseset janë infeksione që mund të kenë origjinë endodontike (nga nervi i dhëmbit) ose parodontale (nga mishrat dhe kocka). Ato mund të shfaqen si:
- fryrje e lehtë pranë dhëmbit
- fryrje e dukshme në fytyrë
- dhimbje e fortë dhe e vazhdueshme
- temperaturë
- lëvizshmëri e dhëmbëve
- zmadhim i nyjeve limfatike
Në rastet kur trajtimi i dhëmbit nuk e eliminon infeksionin, kryhet drenimi kirurgjikal, i cili konsiston në një incizion të vogël brenda gojës, dezinfektimin e zonës dhe, kur është e nevojshme, mbështetje me terapi antibiotike.
Apicektomia është një procedurë kirurgjikale që konsiston në heqjen e 3–4 mm të fundit të rrënjës së dhëmbit. Ajo rekomandohet vetëm kur:
- terapia e kanalit nuk ka qenë e suksesshme
- infeksioni vazhdon pavarësisht trajtimit
- nuk është e mundur të arrihet fundi i rrënjës
Kjo ndërhyrje ndihmon në ruajtjen e dhëmbit dhe shmang ekstraksionin.
Kistet janë formacione me përmbajtje likide, të cilat mund të kenë origjinë dentare ose jo-dentare. Ato rriten ngadalë, por nëse arrijnë përmasa të mëdha mund të dëmtojnë kockën përreth dhe në raste ekstreme të rrisin rrezikun e frakturës.
Kistet me origjinë dentare mund të lidhen me:
- infeksione kronike në apeksin e rrënjës
- rrënjë të mbetura pas ekstraksioneve
- dhëmbë të retinuar
- procese të lidhura me daljen e dhëmbëve tek fëmijët
Nëse evidentohen në radiografi, rekomandohet trajtimi sa më i shpejtë për të ruajtur dhëmbët dhe kockën.
Në rastet kur pacienti do të vendosë proteza të lëvizshme, ndonjëherë është e nevojshme kirurgjia parapërgatitore, për të siguruar stabilitetin maksimal të protezës.
Kjo përfshin ndërhyrje si:
- heqja e indeve të buta të tepërta
- korrigjimi i formës së kockës
- heqja e toreve (neoformacione kockore në qiellzë ose në nofullën e poshtme), të cilat mund të pengojnë vendosjen e protezës
Implantet dentare janë sot një nga zgjidhjet më të mira për zëvendësimin e dhëmbëve të munguar. Megjithatë, në disa raste, kocka mund të mos jetë e mjaftueshme për vendosjen e implantit.
Në këto situata mund të kryhen procedura si:
- shtimi i kockës (rigjenerimi kockor)
- procedura për stabilizimin e zonës implantare
- ngritja e sinusit (sinus lift) në zonën e molarëve të sipërm, kur hapësira nën sinus nuk është e mjaftueshme për implantin
Gjëndrat e pështymës ndahen në:
- gjëndra minore (të shpërndara në buzë, faqe dhe qiellzë)
- gjëndra madhore (3 palë kryesore)
Ato prodhojnë pështymën dhe e sekretojnë nëpërmjet dukteve. Për shkak të kalciumit në pështymë, ndonjëherë këto dukte mund të bllokohen nga formimi i gurëve (sialolite), duke shkaktuar:
- dhimbje, sidomos para ushqimit
- fryrje në zonën përreth
- erë të keqe të gojës
Në disa raste, gjëndrat e vogla (sidomos në buzë) mund të zmadhohen duke shkaktuar shqetësim estetik, ndërsa gjëndrat poshtë gjuhës mund të çojnë edhe në formimin e pseudo-kisteve.
Kontakt
Vendndodhja: Hyrja Rruga “Dritan Hoxha” dhe Rruga “Ana Komnena” 74, 1023 Tiranë
Tel: +355 445 05 004
WhatsApp: +355 69 70 77 550
E-mail: [email protected]



