Në datat 27-29 Prill u zhvillua Konferenca e 17-të Kombëtare dhe Konferenca e 1-rë Ndërkombëtare e ASAI (Shoqata e Anestezistëve & Reanimatorëve të Shqipërisë).
Në këtë konferencë ishin të pranishëm shumë figura të njohura, pjesë e Shoqatës së Anestezistëve & Reanimatorëve të Shqipërisë, dhe të ftuar ndërkombëtarë të cilët ndanë eksperiencat e tyre me pjesëmarrësit, nëpërmjet referimeve që ata prezantuan.
Pjesë e kësaj konference ishte gjithashtu edhe Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, me përfaqësues: Prof. Ndok Marku, Mjek Laboratori Klinik-Biokimik dhe Përgjegjës i Laboratorit të Analizave pranë SKZKM si i ftuar nderi në këtë konferencë; Dr. Ervin Bejko, Anestezist-reanimator dhe Përgjegjës i Shërbimit të Anestezi Reanimacionit pranë spitalit tonë, si dhe Dr. Dejvi Haxhiaj.
Gjatë kësaj konference Dr. Bejko referoi lidhur me temën “Vlerësimi i rrugëve të frymëmarrjes për parashikimin e përdorimit të vështirë të intubacionit/Përdorimi i fibrobronkoskopisë dhe videolaringoskopisë”, për të gjithë studentët dhe anestezistët e rinj duke ndarë me ta njohuri teorike dhe praktike të përvojës së tij shumëvjeçare.
Studentët dhe doktorët e ardhshëm përveçse patën mundësinë të ndiqnin referatet e trajnerëve të pranishëm në konferencë, mundën edhe të shikonin dhe provonin nga afër simulime të cilat u paraqitën gjatë këtyre dy ditëve.