Përurohet “Kopshti i të Drejtëve”, i pari në Shqipëri, i cili i bashkohet rrjetit ndërkombëtar Gariwo di Milano (Gardens of the Righteous Worldwide).
Kompleksi Spitalor Zoja e Këshillit të Mirë krijoi dhe përuroi hapësirën më të re, e cila është e para e këtij lloji në Shqipëri dhe do të shërbejë si pikë referimi, reflektimi, relaksi dhe meditimi për pacientët dhe familjet e tyre, studentët, mësuesit, shumë miq të institucionit tonë.
Koncepti i të drejtëve përfshin të gjithë ata, që kanë shpëtuar jetë njerëzore në të gjitha gjenocidet kudo në botë, kanë mbrojtur dinjitetin njerëzor gjatë totalitarizmit dhe kanë demonstruar përkushtim ndaj të mirës së përbashkët, edhe duke rrezikuar jetën e tyre.
Kopshti është konceptuar si një hapësirë e gjelbër në qendër të së cilës janë vendosur gurë mermeri të mbledhur nga e gjithë Shqipëria, duke nënkuptuar forcën shembullore dhe bukurinë e përhershme të dëshmisë.
Në njërin prej gurëve është gdhendur emri i “Të Drejtit” të parë të këtij kopshti, Carlo Urbani, mjeku që raportoi në botë përhapjen e virusit Sars COV-1 në vitin 2002. Arsyeja e zgjedhjes së emrit të mjekut të ndjerë Carlo Urbani është fakti se ai tregoi kompetencë dhe përgjegjësi në misionet e tij humanitare pa kufi, duke dhënë tërësisht nga vetja. Mjeku i ndjerë Carlo Urbani, i goditur nga virusi, vdiq në moshën 47-vjeçare.
Në ceremoninë e inaugurimit të “Kopshtit të të Drejtëve” ishte e pranishme edhe nënkryetarja e Bashkisë Znj. Frida Pashako dhe Arqipeshkvi i Dioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës Monsinjor Arjan Dodaj, i cili bekoi “Kopshtin e të Drejtëve” dhe tha se kjo hapësirë duhet të na kujtojë gjithmonë sakrificat për të mbrojtur jetën njerëzore.









