Spitali Katolik dhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” bëhen pjesë e një studimi klinik multicentrik ku firmat farmaceutike më të rëndësishme në botë mundësojnë përdorimin e mjekimeve inovatore në fushën e kancerit kokë-qafë.
Të tilla patologji, fatkeqësisht të rendit të ditës, shpeshherë bëhen të pamundura për tu trajtuar në kohën e duhur dhe me modalitetet e duhura.
Ky studim hapi një dritare të re për trajtimin e pacientëve në fushën e kancerit kokë-qafë, për të përmirësuar cilësinë e jetës, zgjatjen e saj, pse jo edhe shërimin e mundshëm.
Falë punës insistuese të stafit mjekësor dhe drejtues të Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, këto mundësi tani i vijnë në ndihmë edhe pacientëve shqiptarë, duke iu mundësuar kura inovatore, që janë të pranuara dhe aprovuara nga protokollet mbarëkombëtare.
Tashmë është bërë aplikimi i kësaj terapie me sukses pranë pacientit të parë shqiptar i cili pati mundësi që trajtimin një ditor ta ndjekë ambulatorisht dhe më pas të kthehet në shtëpi.
Risia është se një pjesë e këtyre trajtimeve në këta pacientë, ndryshe nga gjithë modaliteti i veprimtarisë spitalore shqiptare, janë kura dhe trajtime që i aplikohen pacientëve pa ngarkesë ekonomike për të.
Kjo shënon gurin e themelit në mentalitetin e ri të mjekësisë shqiptare që po krijohet pranë kësaj qendre spitalore universitare, ku kërkimi shkencor në vetvete i shërben pacientit duke kontribuar në kauzën e drejtë të marrjes së kujdesit shëndetësor për çdo të sëmurë.
Këto trajtime tashmë aplikohen dhe ndiqen pranë Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë nga Dr. Ermal Pashaj, Kirurg Maxilofacial, pjesë e ekipit të Departamentit të Kirurgjisë Kokë – Qafë.




