Kanceri endometrial është sëmundje që prek endometrin, pra mukozën e mitrës. Është tumori më i shpeshtë i mitrës. Incidenca e tij rritet me rritjen e moshës, kjo sëmundje shfaqet kryesisht tek gratë mbi 60 vjeç dhe vetëm në 20% e rasteve para menopauzës.
Faktorët kryesorë të rrezikut janë:
- Obeziteti;
- Diabeti;
- Mosha mbi 50 vjeç;
- Disbalanca hormonale;
- Menstruacionet e para në moshë shumë të re ose menopauzë e vonë;
Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë historinë familjare të kancerit të gjirit, vezoreve dhe kolorektalit dhe hipertensionit (një sëmundje e lidhur me obezitetin).
Simptomat e kancerit endometrial janë të dukshme që në fazat e hershme të sëmundjes. Ato përfshijnë gjakderdhje vaginale gjatë menopauzës apo gjakderdhje atipike para menopauzës.
Diagnostikimi arrihet fillimisht përmes ekografisë transvaginale e më pas me anë të rezonancës magnetike të legenit (pelvis)
Trajtimi më i shpeshtë në rastin e kancerit endometrial është kirurgjikal dhe konsiston në heqjen e mitrës (histerektomi), vezoreve dhe tubave fallopiane.