Dita Ndërkombëtare e Gruas feston progresin në sferën ekonomike, politike dhe kulturore të arritur nga gratë në të gjithë botën. Kjo mirënjohje bazohet në një parim universal që nuk kufizohet në ndasitë, qofshin ato etnike, gjuhësore, kuklturore, ekonomike apo politike.
Në këtë koncept u bazua edhe organizimi aktivitetit të dedikuar për stafin femëror të Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, me temë “Zëri i Grave”. Ky aktivitet ishte në kuadër të një organizimi më të gjerë që përfshin të gjitha strukturat e Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë, sot më 8 Mars.
Në formën e një Hapësire Dëgjimi dhe në një ambjent miqësor zonjat pjesëmarrëse ofruan eksperiencat e tyre si profesioniste, si akademike, si nëna që sfidojnë realitetet e përditshme duke gjetur ekuilibrat mes jetës dhe punës.
Gruaja është ajo që e bën botën më të bukur – ndaj dhe gratë e Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë, si pjesë dominuese e këtij institucioni mundohen çdo ditë t’a përmirësojnë atë përmes kontributit që japin.