VLERËSIMET DHE OPINIONET E PACIENTËVE

Pershendetje,

Quhem Danila Deliana, jam mjeke interniste ne spitalin Thomas Jefferson-Filadelfia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Desha të shkruaj këtë letër për të shprehur mirënjohjen e thellë dhe falenderimet për Dr. Manjola Luzi, reanimatorin Dr. Altin Papa dhe gjithë stafin e infiermierëve dhe mjekeve që u kujdesen për tezen time Tatjana gjatë javës së fundit të hospitalizimit të saj në Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të mirë.

U njohëm me Dr. Manjolën në momente shumë të vështira për familjen tonë. Tezja ime Tatjana, e cila vuante nga kancer i avancuar i gojës kishte javë që përkeqësohej në shtëpi, pavarësisht nga përkushtimi dhe kujdesi i dy fëmijëve të saj. Unë erdha t’a vizitoj nga Amerika për të konstatuar se do të ishte shumë e vështirë dhe pothuajse e pamundur qe t’i ofroheshin në shtëpi të gjithë shërbimet paliative të fundit të jetës, kësaj pacienteje me këtë lloj kanceri ku dhimbja e tmerrshme dhe frika e asfiksisë terminale ishin tashmë të pranishme.

Diskutuam me Dr. Manjolen këto mendime dhe shqetësime. U impresionova nga njohuritë e thella mjekësore, përkushtimi i jashtëzakonshëm dhe dëshira e sinqertë që mjekja tregoi për t’a ndihmuar Tatjanën dhe familjen në këto momente vuajtje dhe trishtimi. Tezja ime u pranua të shtrohej në këtë spital të paqshëm ku iu dha një kujdes dhe një trajtim paliativ me të vërtetë dinjitoz ashtu siç e meritonte.

Unë punoj në një spital madhor universitar në SHBA prej 15 vjetësh dhe jam pjesë e ekipit paliativ dhe mund të them me siguri të plotë se tezes sime iu dha një kujdes, trajtim dhe respekt i të njëjtit kalibër nga Dr. Manjola Luzi, Dr. Altin Papa dhe stafi i spitalit tuaj, megjithëse mësova se ajo ishte pacientja e parë me kancer terminal që kërkonte një shërbim të tillë paliativ në spitalin tuaj. Përgatitja dhe njohuritë e Dr. Manjoles në fushën e mjekësisë paliative dhe shërbimet e fundit të jetës janë për t’u admiruar. Durimi dhe përkushtimi që tregoi çdo orë të qëndrimit të tezes në spital bëri që ajo të shkojë në paqe të plotë pa vuajtje me të gjithë njerëzit e dashur rreth e qark. Dr. Luzi, ju jemi thellësisht mirënjohës për këtë shërbim të jashtëzakonshëm. Uroj që në të ardhmen të ndihmoni edhe familje të tjera që kalojnë momente kaq të vështira të jetës.

Me nderime të thella,

Danila DELIANA, MD FACP
Clerkship Director.
Internal Medicine Attending
Department of Medicine.
Abington-Jefferson Health.
Tel 215-481-2869
[email protected]
Me respekt, Danila Deliana

KERKO NJE PREVENTIV FALAS

Ju duhet të prenotoni me telefon ose personalisht ekzaminimet për specialitetet të cilat janë në ditë dhe orare të caktuara të javës.