Shkëlqesia e Tij Imzot Paul Richard GALLAGHER vizitoi Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë
Tiranë, 20.03.2023
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare Shkëlqesia e Tij Imzot Paul Richard GALLAGHER vizitoi edhe Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.
Në Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të mirë, Imzot Gallagher vizitoi disa nga repartet me të rëndësishme si studiot ambulatoriale, laboratorin, radiologjinë dhe pavionet e shtrimit, ku u njoh me standardet moderne të zbatuara gjatë ndërtimit dhe pajisjes si dhe me punën e stafit mjekësor për të ofruar shërbim me nivel të lartë profesionalizmi dhe humanizmi, në pajtim me vizionin e Shenjtes Nënë Tereza.
Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë (SKZKM) është një institucion i rëndësishëm shëndetësor, i ngritur në përmbushje të vullnetit të Nënë Terezës, e cila e ka ideuar, i ka dhënë emrin, ka kërkuar mbështetje dhe ka bekuar të gjithë ata që do të angazhohen në ndërtimin dhe mbarëvajtjen e tij.
SKZKM është ndërtuar nga Kongregata e Bijve të Zojës së Papërlyer me qendër në Romë, për të rritur dhe përmirësuar shërbimin shëndetësor për popullin shqiptar. Spitali është bazuar në frymëzimin e themeluesit të kësaj Kongregate, At’ Luigi Monti.