Tumoret glomus, ose paragangliomat, janë tumore me rritje të ngadaltë, zakonisht beninje në arteriet karotide (enët e mëdha të gjakut në qafën tuaj), veshin e mesëm ose zonën poshtë veshit të mesëm. Tumoret glomus janë më shpesh beninje; megjithatë, ato mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në indet përreth ndërsa rriten.
Të tillë tumore janë më të shpeshtë te pacientët femra.
Gjatë egzaminimit dhe vlerësimit të daulles së veshit apo siç quhet, membranës timpanike, mund të shihet një masë pulsative e kuqe/blu.
Simptomat
Simptomat që mund të shfaqen janë:
- zhurma në vesh (tinitus pulsativ) dhe humbje dëgjimi;
- marramendje;
- dhimbje veshi.
Nëse shfaqet ndonjë nga këto simptoma, këshillohet të drejtoheni tek mjeku specialist.
Diagnoza
Për përcaktimin e diagnozës përdoren egzaminime si ato audiometrike dhe vestibulare. Nëse mjeku juaj dyshon për një tumor glomus jugular, do t’ju rekomandohet kryerja e një egzaminimi imazherik si CT (skaner) ose MRI (rezonancë). Gjithashtu mund t’ju rekomandohet kryerja e një analize të urinës dhe mostrave të gjakut për të vlerësuar katekolaminat, duke qenë se këta lloj tumoresh karakterizohen nga sekretimi i tyre.
Mjekimi
Pasi të jetë konstatuar diagnoza e Tumorit Glomus Jugular, mund të sugjerohen metodat e mëposhtme të trajtimit:
Terapi mjekësore: për tumoret që prodhojnë katekolamina. Është e përshtatshme të sugjerohet kjo terapi edhe para operacionit.
Ndërhyrja kirurgjikale: për tumoret e vaskularizuara. Ky trajtim mund të çojë në përkeqësim të otolikuorresë (rrjedhje nga veshi) dhe deficiteve të nervave kraniale. Duke qenë një tumor që shpesh rritet përsëri, mund të nevojitet të rindërhyhet disa herë në mënyrë kirurgjikale.
Terapia me rrezatim: ndihmon në largimin e simptomave dhe ndalimin e rritjes së tumorit.