Tonsillat ose bajamet, janë dy gjendra të vogla të cilat vendosen në hapësiren e gojës. Tek fëmijët ato veprojne si barrierë mbrojtëse për organizmin duke izoluar shkaktarin të përhapet më tej në trup. Tonsilliti është pikërisht infektimi i këtyre gjendrave, nga një agjent viral (Influenza A ose B, Ebstein Barr, etj.) ose bakterial (streptokoku beta hemolitik, stafilokoku aureus etj). Haset më shpesh në femijë, adoleshentë ose të rinj.
Simptomat e tonsillitit përfshijnë:
- Dhimbje fyti;
- Temperature (38 C- 40 C);
- Dhimbje veshi;
- Gjendra të enjtura në qafë
- Veshtirësi në gëlltitje;
- Skuqje dhe zmadhim i bajameve duke veshtirësuar dhe të folurin.
Tonsilliti mund të jetë akut ose kronik.
Tonsilliti akut përmirësohet kryesisht brenda 3-4 ditëve. Barnat antiinflamatore si ibuprofeni ose paracetamoli ndihmojnë në lehtesimin e dhimbjes në gëlltitje. Marrja e lëngjeve nga goja është shumë e rëndësishme për përmirësimin e gjendjes.
Infeksionet e vazhdueshme të bajameve çojnë në tonsillit kronik. Në këto kushte diskutohet tonsillectomia ose tonsillotomia, pra heqja ose reduktimi i bajameve për të parandaluar komplikacionet e mundshme. Numri i episodeve, vlerësimi i madhësisë së tonsillave ose prezenca e një komplikacioni janë faktorë që merren në konsideratë për marrjen e vendimit.
Komplikacionet e një tonsilliti të patrajtuar janë:
- Infeksion i veshit të mesëm (otit media);
- Abscesi (grumbullimi i përmbajtjes së infektuar mes bajames dhe murit të fytit);
- Apnea obstruktive e gjumit;
- Glomerulonefrit (infeksion i veshkave);
- Endokardit (infeksion i valvolave të zemrës).