A mund të kurohet osteoporoza mbi 60 vjeç?
Kur fillojnë simptomat e para, faktorët e rrezikut dhe trajtimet.
ÇFARË ËSHTË
Osteoporoza është një sëmundje e heshtur që dobëson kockat, duke i bërë ato të brishta dhe më të prirura për fraktura. Është një sëmundje e sistemit skeletor, në të cilën dendësia e ulët minerale dhe përkeqësimi i mikroarkitekturës së indit kockor i bëjnë kockat më të brishta dhe për këtë arsye thyhen më lehtë. Femuri, kyçi i dorës, kyçi i këmbës dhe vertebra janë më të rrezikuara.
Shumë shpesh e vërejmë praninë e saj kur kockat janë shumë të brishta dhe pësojnë fraktura. Për këtë arsye është e rëndësishme të monitoroni kushtet e skeletit tuaj, veçanërisht në prani të faktorëve të rrezikut.
Diagnoza bazohet kryesisht në kryerjen e densitometrisë së kockave (DEXA ose MOC), një test që ju lejon të llogarisni densitetin mineral të kockës.
DEXA përsëritet çdo 18-24 muaj për të vlerësuar çdo përkeqësim të densitetit mineral kockor dhe për të parandaluar çdo frakturë, si dhe për të vlerësuar efektivitetin e trajtimeve anti-osteoporotike që pacienti ndjek.
Sipas të dhënave, vlerësohet se 80% e personave të prekur nga osteoporoza janë gra pas menopauzës. Megjithatë, ka shumë njerëz që as nuk janë të vetëdijshëm se janë prekur nga kjo sëmundje.
Shkaqet dhe faktorët e rrezikut të osteoporozës
Shkaqet kryesore të osteoporozës gjenden në faktorët gjenetikë dhe plakjen. Gjithashtu, ka dhe faktorë të tjerë të cilët predispozojnë për këtë sëmundje:
- palëvizshmëri e zgjatur pas shtrimeve në spital
- heqja e vezoreve në moshë fertile
- menopauza e hershme
- marrja në kohë të gjatë e barnave të caktuara si, për shembull, kortizoni, hormonet e tiroides dhe diuretikët.
Ndër faktorët që ndikojnë në sistemin skeletor dhe të cilët anasjelltas janë të modifikueshëm, listojmë:
- mënyra e jetesës sedentare
- pak ushtrime fizike
- peshë e tepërt
- dobësi e tepërt
- pirja e duhanit
- një dietë e gabuar që konsiston veçanërisht në doza shumë të larta kripe, alkooli dhe kafeje dhe pak ushqime të pasura me kalcium, si produktet e qumështit, brokoli, spinaqi, salmoni dhe bajamet.
Pesë rregulla për të mbajtur kockat tuaja të shëndetshme
- Përshtatni dhe mbani një mënyrë jetese aktive, duke praktikuar rregullisht aktivitet të përshtatshëm fizik
- Ndiqni një dietë të larmishme dhe të ekuilibruar, gjithashtu për të parandaluar dobësinë e tepërt ose mbipeshën dhe obezitetin
- Merrni sasi të mjaftueshme të kalciumit dhe vitaminës D (për këtë të fundit, është gjithashtu i rëndësishëm ekspozimi i duhur ndaj dritës së diellit)
- Ulja e konsumit të kripës (që rrit eliminimin e kalciumit në urinë)
- Mos pini duhan dhe shmangni ose kufizoni konsumimin e alkoolit.
DEXA në Spitalin Katolik
Shërbimi i Radiologjisë dhe Endokrinologjisë në Spitalin Katolik ofron asistencë eksperte dhe të kualifikuar për diagnostikimin dhe monitorimin e osteoporozës