Hipertrofia e adenoideve

Hipertrofia e adenoideve, ose mishi i huaj në hundë tek fëmijët, i referohet një rritjeje të pazakontë të indit limfoid të hundës.

Adenoidet janë masa të vogla të indit limfatik, të cilat ndodhen në rrugët e sipërme respiratore, midis hundës dhe pjesës së pasme të fytit. Bashkë me tonsillat ose bajamet, ato bëjnë pjesë në sistemin limfatik i cili mbron fëmijën nga bakteret dhe viruset. Pozicioni anatomik i tyre ndihmon që patogjenet të ngelen në këto struktura dhe të mos hyjnë më tej në trup.

Kryesisht e hasim në fëmijët nën 5 vjeç, por nuk përjashtohen edhe rastet e fëmijëve të moshave më të rritura.

Inflamacioni kronik i adenoideve ndodh nga infeksionet e përsëritura ose persistente. Perveçse nga agjentët bakterialë dhe viralë si streptococcu ose EBV virus, edhe alergjitë ose irritantët  dhe refluksi gastroezofageal mund të shkaktojnë zmadhim të adenoideve.

Fëmijët me zmadhim të adenoideve kanë vështirësi në frymëmarrje me hundë duke i detyruar të marrin frymë me gojë hapur. Ata mund të kenë infeksione të përsëritura të veshit, si pasojë e bllokimit të tubit të Eustachut. Gjithashtu, të tillë fëmijë paraqesin probleme me gjumin, duke variuar nga gërrhitja gjatë natës e deri në episode të pauzave të frymëmarrjes, e ashtuquajtura apne nokturne. Prania e patologjisë dhe simptomave për një kohë të gjatë shkakton edhe fytyrën  adenoide. Këta fëmijë kanë hundë të ngushtë, qëndrim me gojë hapur, qiellzë më të ngritur dhe të ngushtë, buzë të sipërme më të shkurtër, asimetri në zhvillimin e nofullës së sipërme krahasuar me nofullën e poshtme, defekte në harkun dentar.

Vendosja e diagnozës bëhet me endoskopi nazale ose ekzaminim indirekt me pasqyrë nazofaringeale.

Në varësi të moshës së fëmijës, nivelit të bllokimit, simptomave, kohëzgjatjes së episodeve dhe shkaktarit vendoset mbi trajtimin. Në disa raste përdoren dekongjestionante nazale për tkurrjen e adenoidit, e në disa raste heqja e mishit të huaj në hundë me kirurgji, është zgjidhja.

KERKO NJE PREVENTIV FALAS

Ju duhet të prenotoni me telefon ose personalisht ekzaminimet për specialitetet të cilat janë në ditë dhe orare të caktuara të javës.