Disfonia është një ndryshim cilësor dhe/ose sasior i zërit, i cili pason një modifikim strukturor dhe/ose funksional të një ose më shumë organeve të përfshira në prodhimin e tij, ose një pamjaftueshmëri të marrëdhënieve dinamike midis përbërësve të ndryshëm. Çrregullimi karakterizohet nga ndryshime në parametrat e zërit (timbri, toni dhe intensiteti) ose nga përpjekjt vokale që komprometojnë komunikimin ose reduktojnë cilësinë e jetës në lidhje me zërin.
Diagnoza
Diagnoza vendoset nga mjeku otorinolaringolog pas konsultës dhe ekzaminimeve të nevojshme.
Llojet e disfonisë
Disfonitë funksionale janë ndryshime të zërit të shkaktuara nga një abuzim (mbimbytje) ose përdorim i gabuar (keqmenazh) i sistemit vokal, shkaqe të cilat cojnë në përpjekje të tepruar dhe të zgjatur të muskujve fonatorë me pasojë humbjen e efikasitetit të mekanizmit fonator. Shumë shpesh, patologjitë jofunksionale rezultojnë në dëmtime organike, duke prodhuar gjendje reale inflamatore-degjenerative që komplikojnë pamjen e ngjirur.
Disfonitë përkufizohen si organike kur kemi të pranishme ndryshime objektive morfologjike ose neuromuskulare të një ose më shumë organeve të përfshira në prodhimin dhe kontrollin e zërit. Ndër shkaqet më të shpeshta përmendim: noduset, të cilat janë përgjithësisht lezione beninje të vendosura simetrikisht në të dyja kordat vokale. Zakonisht ato gjenden në një të tretën e mesme ose të përparme të kordës vokale. Nje shkak tjeter i ngjirjes së zërit janë edhe polipet, të cilët janë zakonisht lezione të njëanshme të vendosura në skajin e lirë të kordave vokale.
Vlerësimi klinik i zërit
Egzistojnë nje sërë testesh për vlerësimin e problemeve të zërit. Midis tyre përmendim :
- Vlerësimi perceptues;
- Vlerësimi instrumental;
- Vlerësimi aerodinamik;
- Vlerësimi i parametrave elektroakustik;
- Vetëvlerësimi;
Trajtimi
Trajtimi i ngjirjes së zërit ndryshon sipas patologjisë themelore. Ekzistojnë tre qasje që mund të përdoren (të rekomanduara nga mjeku):
- farmakologjike, që synojnë administrimin e barnave (anti-inflamatore, antibiotikë, antacidë, etj.) sipas shkakut përgjegjës;
- logopedi, për të mësuar pacientin se si t’a përdorë më mirë zërin dhe të shmangë abuzimin e tij;
- kirurgjikale, për të hequr çdo formacion (tumor, polipe, kiste) përgjegjëse për këtë problematikë.