Maji është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të lëkurës.
Të ftuara në emisionin Wake-Up në Top Channel Dr. Amarda Cenko, Mjeke Dermatologe-Venerologe dhe Dr. Manjola Luzi, Mjeke Onkologe pranë spitalit tonë kanë diskutuar mbi kancerin e lëkurës dhe vaksinën e Melanomës.
Duke qenë se Melanoma është një nga tumoret kutane më agresive jetë kërcënuese, diskutimet lidhur me diagnozën, trajtimin dhe parandalimin e saj janë në fokus të profesionistëve të shëndetit publik, mjekut dermatolog dhe atij onkolog.
Janë kryer shumë studime mbi korrelacionin e faktorëve të riskut me modelet e sjelljes për mbrojtjen e lëkurës ndaj karcinomave.
Vitet e fundit shënohen shifra globale gjithnjë e në rritje të rasteve të reja me melanomë. Diskutimi më koherent është ai mbi vaksinën e melanomës, e cila është një lloj trajtimi akoma në fazë studimesh klinike.
Pavarsisht emertimit “vaksinë”, për arsye të mënyrës së prodhimit duke marrë pjesë të ADN-së nga qelizat tumorale e duke u injektuar në organizëm, funksioni i saj është trajtues dhe parandaues i rishfaqjes së melanomës dhe kohëzgjatjes së jetës.
Aktualisht janë duke u përdorur në kombinim me imunoterapinë me checkpoint inhibitorët, medikamente që kanë bërë një revolucion në trajtimin e melanomës në ditët e sotme. Këto medikamente përdoren edhe në Shqipëri.
“Misioni ynë si mjekë nuk është vetëm të trajtojmë, por edhe të edukojmë, të ndikojmë sadopak në modelet e sjelljeve të pacientit lidhur me faktorët e riskut të kancerit të lëkurës”, u shpreh Dr.Amarda gjatë kësaj interviste.