Prof. Bledar Kraja është diplomuar në degën Mjekësi e Përgjithshme, pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1997.

Ka kryer Specializim Afatgjatë dhe është diplomuar mjek Gastrohepatolog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2002. 

Në vitin 2009 ka fituar gradën shkencore Doktor me temë: “Elementët kryesorë të ushqyerjes në Shqipëri dhe lidhja me faktorët demografikë, socio-ekonomikë, psiko-shoqërorë, mënyrën e jetesës, historinë familjare dhe sëmundshmërinë”.

Nga viti 2012-2015, ai ka kryer studimet post-doktoraturë në Erasmus Medical Center, Roterdam, Hollandë.

Prof. Kraja ka kryer kryer trajnim “Hand on Training” për Ultrasonografinë Endoskopike (EUS) dhe Kolangiopankreatografinë Retrograde Endoskopike (ERCP) në Qendrën Spitalore Universitare të Zagrebit, Kroaci dhe më pas një sërë trajnimesh në endoskopinë digjestive në qendra te njohura Europiane duke kontribuar në hapjen për herë të parë të Kabinetit të EUS dhe ERCP në QSUT.

Ai është Profesor i lëndës së Fiziologjisë për studentët e të gjithë programeve të studimit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë duke u përfshirë edhe në hartimin e kurrikulave të studimit dhe teksteve mësimore për lendën e Fiziologjisë.

Prof. Kraja ka marrë pjesë në shumë projekte kërkimore-shkencore ndërkombëtare dhe është autor i shumë artikujve të publikuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai është anëtar i Bordit Editorial Ekzekutiv të Albanian Journal of Medical and Health Sciences (Revistë Shkencore e Universitetit të Mjekësisë Tiranë), anëtar i Bordit Editorial të World Journal of Gastroenterology dhe që nga viti 2018 shërben si Pikë Kombëtare Kontakti në Projektin e Komisionit Europian: European Commission Initiative on Colorectal Cancer (ECICC). Gjithashtu, ai është certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë si Auditues Klinik, në kuadër të Programit të Auditimit Klinik të Shërbimeve Shëndetësore.

Prof. Kraja ka eksperiencë 20-vjeçare në diagnozën, trajtimin dhe ndjekjen e të sëmurëve më sëmundje të traktit gastrointestinal, mëlçisë, rrugëve biliare dhe pankreasit. Ai punon në Njësinë e Endoskopisë Digjestive në Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, duke i shërbyer të sëmurëve jo vetëm me endoskopi diagnostike por edhe me endoskopi terapeutike.

Gjithashtu, Prof. Kraja kryen edhe procedurën e Eko-endoskopisë, që është një kombinim i ekos dhe endoskopisë. EUS e shoqëruar me marrjen e materialit për biopsi (EUS-guided fine-needle aspiration: EUS-FNA) përdoret për diagnozën dhe stadifikimin formacioneve solide apo kistike brenda dhe në afërsi të traktit gastrointestinal, dukë përfshirë tumoret ezofagut, të stomakut, të pankreasit dhe të rrugëve bilare.

Angazhimi i Prof. Krajës në SKZKM ka bërë që EUS‑FNA të jetë tashmë pjesë e algoritmeve diagnostike dhe terapeutike të menaxhimit të sëmundjeve beninje dhe malinje të traktit gastrointestinal si dhe të organeve në afërsi të tij.