Dr. Françeska Vinjolli, PhD është specialiste në Ortodonci, pedagoge universitare, kërkuese shkencore dhe Drejtuese Teknike e Klinikës Stomatologjike Universitare “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.
Ajo është diplomuar në Stomatologji dhe Proteza Dentare në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe ka vijuar formimin pasuniversitar pranë Universitetit “Tor Vergata” të Romës, ku ka përfunduar Masterin në Ortodonci, Specializimin në Ortodonci dhe, në vitin 2023, doktoraturën (PhD). Kërkimi i saj doktoral është fokusuar në ndryshimet skeletore, dentoalveolare dhe të artikulacionit temporomandibular të prodhuara nga terapia me Twin Block në pacientët në fazën parapubertare dhe pubertare.
Në vitin 2026 përfundoi gjithashtu Masterin Universitar të Nivelit II në trajtimin e rasteve komplekse me maskerina transparente pranë UniCamillus – Saint Camillus International University of Health Sciences, Romë, duke thelluar formimin në biomekanikën e aligners, planifikimin dixhital dhe menaxhimin e rasteve ortodontike komplekse.
Prej vitit 2012 ushtron aktivitetin klinik si ortodonte në Klinikën Stomatologjike Universitare “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku prej vitit 2014 mban edhe funksionin e Drejtuese Teknike. Që prej vitit 2015 është pedagoge dhe kërkuese shkencore në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku zhvillon aktivitet mësimor dhe kërkimor në fushën e Ortodoncisë dhe mentoron studentë në projekte shkencore.
Interesat e saj kryesore klinike dhe kërkimore përfshijnë ortodoncinë interceptive, trajtimin e malokluzioneve të Klasës II dhe III, terapinë funksionale, rritjen kraniofaciale, anomalitë dentare, biomekanikën ortodontike dhe trajtimet komplekse me aligners. Është autore dhe bashkautore e mbi 20 publikimeve shkencore ndërkombëtare dhe ka prezantuar kërkimet e saj në kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë World Federation of Orthodontists (WFO), European Orthodontic Society (EOS), SIDO dhe Balkan Association of Orthodontic Specialists (BAOS). Në vitin 2025 ishte lektore e ftuar në 10th International Orthodontic Congress të WFO në Rio de Janeiro.
Anëtare e bordit drejtues të Shoqatës së Ortodontëve të Shqipërisë (SHOSH) . Ka drejtuar gjithashtu grupin e punës për hartimin e “Udhërrëfyesit Klinik për Diagnostikimin dhe Trajtimin e Anomalive Ortodontike”, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Urdhrin nr. 147, datë 29.03.2024.