Tetori Rozë u mbyll me aktivitetin më të përzemërt për ne.
Edhe këtë vit, për herë të dytë radhazi, pacientet e shërbimit të onkologjisë, stafi i spitalit, fondacioni dhe miqtë u mblodhën nën moton “Festo Jetën! Përqafo Shpresën!”.
Takimi na kujtoi se jeta është e vështirë, por edhe e bukur, dhe se shpresa na bashkon. Pati dëshmi force nga pacientet, mesazhe inkurajimi nga presidenti i fondacionit, fr. Leandro Lobato, nga mjekët dhe profesionistët, si dhe nga p. Paschal.
Në reflektimin e tij, Atë Paschali u ndal te dhurata e Forcës, si një nga shtatë dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, që vjen nga Zoti dhe shprehet nëpërmjet familjes e shoqërisë.
“ Ajo ndihmon ata që luftojnë me sëmundjen të përballojnë frikën, të gjejnë forcë në dobësi, të ruajnë fenë dhe paqen në pasiguri. Sëmundja mund ta dobësojë trupin, por nuk e zvogëlon dinjitetin e një gruaje, bijë e dashur e Hyjit. Siç na kujton Shën Pali: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në dobësi” (2 Kor 12, 9)” – u shpreh Atë Paschali në fjalën e tij.
Faleminderit, gra të dashura, për dëshminë tuaj të forcës dhe besimit. Ju na frymëzoni të gjithëve.
Atmosfera ishte e ngrohtë dhe festive, me performanca artistike dhe surpriza nga artistët e vegjël.
Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë qëndron pranë çdo pacienti me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm, në çdo hap të rrugëtimit drejt shëndetit.



