Në Aula Magna të Universitetit “Katolik Zoja e Këshillit të Mirë” u organizua Konferenca Kombëtare e nivelit të lartë për Kujdesin Paliativ në Shqipëri, me temë “Bringing Science, Practice and Partnership Together”.
Konferenca u organizua në një bashkëpunim përparimtar mes organizatës Ryder Albania që ofron kujdes paliativ në komunitet dhe Universitetit e Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në audiencë u regjistrua një numër i lartë ekspertësh nga Shqipëria dhe vende të tjera, të cilët kontribuojnë në dekada me ekspertizë klinike dhe akademike. Konferenca u hap nga fr. Ruggero Valentini, i cili u uroi mirëseardhjen miqve e bashkëpunëtorëve të FZKM duke e nisur së pari me Znj. Klodiana Spahiu Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Fr. Ruggero Valentini u shpjegoi miqve rëndësinë që merr kujdesi për njeriun si themel i misionit të Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë duke sjellë në vëmendje të publikut se shkalla e qytetërimit të një populli dhe vendi kuptohet nga kujdesi që tregojnë për brezat e rinj dhe për njerëzit që janë në vështirësi apo kërkojnë shërbim shëndetësor të dedikuar, siç është rasti i kujdesit paliativ.
Ministrja Spahiu solli në adresimin e saj këndvështrime strategjike për të ardhmen dhe për avancimin e kujdesit paliativ të qëndrueshëm, të integruar dhe të përqëndruar tek personi në Shqipëri. Znj. Spahiu tha se Shqipëria mëton të mos e lerë familjen dhe individin vetëm përballë vështirësive duke synuar forcimin e lidhjeve mes strukturave shëndetësore parësore, spitalore dhe atyre onkologjike.
Ndërsa ligjërata kryesore me temë bioetika, dinjiteti njerëzor dhe kujdesi paliativ u mbajt nga Mons. Renzo Pegoraro, President i Akademisë Papnore për Jetën, i cili foli gjerësisht për sfidat me të cilat përballet pacienti dhe familjarët, sikurse edhe vendimmarrja etike gjatë sëmundjeve të rënda.
Në emër të Ryder Albania Prof. Ass. Rudina Rama ngriti një sërë pyetjesh që rrethojnë jetën e njerëzve që kërkojnë kujdes paliativ duke kërkuar vëmendje që pacientët dhe familjarët e tyre të marrin mbështetje.
Integrimi i kujdesit paliativ gjatë gjithë përvojës që kalon një individ ishte boshti kryesor i punës dhe diskutimeve gjatë konferencës së mbajtur në UKZKM.


















